Diga e Vlashukut, vepra inxhinierike që prej vitit 1962 furnizon me ujë rezervuarin e Thanës.

Një nga veprat më të rëndësishme hidroteknike në vend, Diga e Vlashukut, vijon t’i rezistojë kohës pas më shumë se gjashtë dekadash në funksion. E ndërtuar në vitin 1962 mbi lumin Devoll, në fshatin Vlashuk të bashkisë Kuçovë, kjo digë ka një rol kyç në furnizimin me ujë të rezervuarit të Thanës, një prej skemave më të mëdha të ujitjes në Shqipëri.

Përmes portave të saj mekanike, diga devijon ujërat e lumit Devoll drejt rezervuarit të Thanës, i ndërtuar në periudhën 1959–1962 dhe i vënë në funksion në vitin 1962. Ky rezervuar grumbullon rreth 65 milionë metra kub ujë dhe është projektuar për të vaditur mbi 35 mijë hektarë tokë bujqësore në fushën e Myzeqesë, përmes një rrjeti kanalesh ujitëse.

Kamera e TV Apollon ishte pranë Digës së Vlashukut, ku uji përplaset me forcë në portat e betonit për t’u drejtuar më pas drejt rezervuarit. Një panoramë që dëshmon rëndësinë e kësaj vepre, e cila prej dekadash ka garantuar ujë për bujqësinë e Myzeqesë.

Por gjatë xhirimeve, binte në sy edhe një tjetër fakt. Në një objekt të një rëndësie të tillë nuk ndodhej asnjë punonjës apo person përgjegjës për mbikëqyrjen e tij. Porta hyrëse ishte e mbyllur me dry, ndërsa e gjithë diga dukej pa praninë e stafit që duhet të kujdeset për funksionimin dhe sigurinë e saj.

Edhe sot, Diga e Vlashukut dhe rezervuari i Thanës mbeten nyje jetike për sistemin e ujitjes në Shqipërinë e mesme, duke dëshmuar vlerën e një vepre inxhinierike që vazhdon t’i shërbejë bujqësisë shqiptare edhe pas më shumë se 60 vitesh.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033