Pensionistët: Me pensione minimale dhe kosto në rritje, mbijetesa bëhet çdo ditë më e vështirë.

Pensionistët: Me pensione minimale dhe kosto në rritje, mbijetesa bëhet çdo ditë më e vështirë.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve po e bën gjithnjë e më të vështirë jetën për pensionistët në Shqipëri. Ata thonë se pensionet që përfitojnë nuk u mjaftojnë për të përballuar shpenzimet bazë të jetesës, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave shkon për ushqime, energji elektrike dhe ilaçe.

Shumë pensionistë tregojnë se mbështetja kryesore vjen nga fëmijët dhe familjarët që jetojnë jashtë vendit. Sipas tyre, pa ndihmën financiare të emigrantëve do ta kishin të pamundur të përballonin nevojat më elementare të përditshmërisë.

Ata shprehen se bonuset e shpërndara herë pas here nuk sjellin zgjidhje afatgjatë, ndërsa kërkojnë rritje të pensioneve në përputhje me koston e jetesës. Sipas pensionistëve, pas dekadash pune dhe kontributesh, ata meritojnë të kenë një standard më të mirë jetese.

Një tjetër shqetësim mbetet edhe kostoja e trajtimeve mjekësore dhe e barnave, e cila rëndon ndjeshëm buxhetin e tyre mujor. Për shumë prej tyre, shpenzimet për shëndetin janë të pashmangshme dhe zënë një pjesë të konsiderueshme të pensionit.

Pensionistët kërkojnë që institucionet të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e skemës së pensioneve dhe rritjen e mbështetjes sociale, duke theksuar se një jetë me dinjitet pas një jete të tërë pune duhet të jetë një e drejtë dhe jo një privilegj.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033