Qeveria propozon ndryshime në Buxhetin e Shtetit 2026

Qeveria propozon ndryshime në Buxhetin e Shtetit 2026, me më shumë fonde për pensionet, shëndetësinë, arsimin dhe mbështetjen sociale.

Ndryshimet në Buxhetin e Shtetit për vitin 2026 u prezantuan sot në Komisionin parlamentar për Çështjet Ligjore dhe në Komisionin për Ekonominë. Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se Akti Normativ mbështetet në performancën pozitive të ekonomisë shqiptare dhe të financave publike gjatë pesëmujorit të parë të vitit.

Sipas ministrit, të ardhurat buxhetore janë realizuar mbi plan, duke krijuar hapësirën fiskale të nevojshme për financimin e prioriteteve të reja, pa rritur deficitin buxhetor dhe duke ruajtur trajektoren rënëse të borxhit publik.

Me ndryshimet e propozuara parashikohet përshpejtimi i indeksimit të pensioneve nga 1 korriku, dyfishimi i mbështetjes financiare për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe financimi i kontributeve për kujdestarët e tyre. Gjithashtu, rriten investimet në shëndetësi, arsim, sipërmarrje dhe bujqësi, ndërsa parashikohen fonde shtesë për mbrojtjen kombëtare dhe procesin e integrimit europian.

Sipas Ministrisë së Financave, objektivi është që çdo e ardhur shtesë e krijuar nga rritja ekonomike dhe administrimi më i mirë fiskal të përkthehet në më shumë investime dhe mbështetje për qytetarët, biznesin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033