Vodhi lokalin dhe më pas i vuri flakën, arrestohet 36-vjeçari në Lushnjë.

Një 36-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Lushnjës, pasi dyshohet se brenda dy ditësh ka kryer dy vjedhje, ndërsa njërit prej objekteve i ka vënë edhe flakën.

Operacioni policor i koduar “Again” çoi në arrestimin e shtetasit Mariglen Gashi, 36 vjeç, banues në fshatin Plug. Sipas Policisë, ai ishte i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes dhe kishte përfituar nga amnistia, ndërsa dyshohet se iu rikthye aktivitetit kriminal vetëm një ditë pas daljes nga burgu.

Nga hetimet rezulton se më 16 korrik 2026, 36-vjeçari ka vjedhur dy bateri automjetesh në fshatin Plug. Ndërsa në orët e para të mëngjesit të 17 korrikut, ai dyshohet se është futur në një lokal, ku ka marrë një shumë parash dhe një kompjuter portativ. Më pas, sipas Policisë, i ka vënë zjarrin objektit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Policia bëri të ditur se, falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033