Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimet për katër të miturit e akuzuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tyre, Fatjon Bici, ngjarje që tronditi qytetin e Gramshit më 16 maj 2023.
Vendimi i fundit konfirmon atë të dhënë më parë nga Gjykata e Elbasanit më 29 prill 2024, ku të rinjtë u dënuan në total me 46 vite burg.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një shkolle, ku katër adoleshentët i bënë pritë kushëririt të Fatjonit, me të cilin ishin konfliktuar për shkak të një debati në rrjete sociale. Të pajisur me thika dhe doreza forcuese, ata sulmuan kushëririn, ndërsa Fatjoni ndërhyri për ta mbrojtur dhe humbi jetën nga plagët e marra.
Në seancën e fundit, mbrojtja e të akuzuarve kërkoi rikthimin e çështjes për gjykim të plotë ose rishikim në një tjetër nivel të Apelit, por kjo u refuzua. Ndërkohë, dy prej të akuzuarve, të identifikuar me inicialet E.K. dhe O.Ç., të cilët përkohësisht ishin lënë në arrest shtëpiak, janë rikthyer në qeli pas vendimit përfundimtar.
Mustafa Bici, babai i viktimës, shprehu zhgënjimin e thellë me vendimin e gjykatës. “Kam një vit e gjysmë që kërkoj drejtësi dhe ende nuk e gjeta. Çfarë janë 18 vite burg për një kriminel? Im bir është në dhe, ndërsa ata flenë gjumë në shtëpi,” tha ai, duke akuzuar drejtësinë për mungesë transparence dhe drejtësie të plotë.
Sipas vendimit, autori kryesor E.K. u dënua fillimisht me 27 vite burg për disa vepra penale, duke përfshirë vrasjen, plagosjen dhe armëmbajtjen pa leje. Megjithatë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij përfundoi në vetëm 18 vite burg.
Ndihmësi i tij, O.Ç., i akuzuar për katër vepra penale, u dënua fillimisht me 21 vite burg, por do të vuajë vetëm 14 vite pas uljes së dënimit. Ndërsa dy të akuzuarit e tjerë, Xh.Ç. dhe S.M., do të vuajnë respektivisht 8 vite dhe 6 vite e 8 muaj, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
Për babain e Fatjonit, këto dënime janë të papranueshme dhe i shtyjnë më tej drejt pakënaqësisë. “Kam pritur drejtësi, por nëse nuk e marr, do të veproj vetë,” paralajmëroi ai, duke kërkuar që dënimet të jenë të plota dhe të mos ketë ulje për kriminelët.
Ngjarja tragjike ka ngritur njëherësh shqetësime për sigurinë e të rinjve dhe për drejtësinë e ofruar nga sistemi gjyqësor shqiptar, ndërkohë që familja e viktimës vazhdon të kërkojë drejtësi të plotë.