Qentë endacakë, mes premtimeve dhe realitetit: Fondet ekzistojnë, por problemi mbetet në rrugë.

Prej vitesh, bashkitë në shqiperi kanë folur për projekte, programe dhe fonde të dedikuara për menaxhimin e qenve endacakë. Sterilizimi, vaksinimi dhe strehimi i tyre janë paraqitur si pjesë e strategjive për të zgjidhur një problem që vijon të jetë i pranishëm në çdo qytet.

Megjithatë, realiteti në terren tregon një pamje krejt tjetër. Në rrugët e shumë bashkive, numri i qenve endacakë mbetet i lartë, ndërsa qytetarët ndeshen çdo ditë me mungesën e një zgjidhjeje afatgjatë. Pyetja që shtrohet është se sa efektivisht janë përdorur fondet e akorduara për këtë qëllim.

Në shumë raste, janë individë dhe organizata të mbrojtjes së kafshëve që kanë marrë përsipër atë që duhej të ishte përgjegjësi institucionale. Me kontributet e tyre, ata strehojnë, ushqejnë, sterilizojnë dhe kujdesen për kafshët e braktisura, shpesh pa asnjë mbështetje financiare nga institucionet.

Nga ana tjetër, në rrjetet sociale nuk kanë munguar denoncimet për raste të helmimeve apo keqtrajtimit të qenve endacakë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si trajtohet ky problem në disa zona të vendit. Organizatat për mbrojtjen e kafshëve kërkojnë më shumë transparencë për fondet e përdorura dhe zbatim të ligjit, ndërsa theksojnë se zgjidhja nuk është eliminimi i kafshëve, por menaxhimi i tyre në mënyrë humane.

Ndërsa projektet vazhdojnë të prezantohen në letër, realiteti në rrugët e Shqipërisë tregon se sfida mbetet ende larg zgjidhjes.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033