Tre net radhazi të mbushura me art, muzikë dhe emocione kanë kthyer Parkun e Ri të Kuçovës në një qendër të rëndësishme të jetës kulturore. Në kuadër të sezonit të 10-të të Open Cinema, Bashkia Kuçovë, nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut Kreshnik Hajdari dhe Drejtorisë së Kulturës dhe Turizmit, organizoi një aktivitet që mblodhi çdo mbrëmje qindra qytetarë dhe artdashës.
Në një atmosferë festive, publiku pati mundësinë të ndjekë projeksione filmash në ambient të hapur, ndërsa moderimin e aktivitetit e drejtoi aktorja e njohur e humorit, Mariana Kondi. Me batutat dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me spektatorët, ajo solli humor dhe energji, duke e bërë çdo mbrëmje edhe më të veçantë.
Programi nuk u kufizua vetëm te filmat. Në skenën e ngritur në Parkun e Ri performuan edhe fëmijët e Qendrës Kulturore të Kuçovës, të cilët interpretuan këngë dhe valle, duke fituar duartrokitjet e publikut. Çdo natë pati të ftuar specialë, ndërsa sheshi u mbush me familje, të rinj e të moshuar që zgjodhën të kalonin mbrëmjet nën atmosferën e Open Cinema.
Edhe kryebashkiaku Kreshnik Hajdari ishte i pranishëm në aktivitet, i shoqëruar nga familja e tij, duke ndjekur nga afër programin artistik së bashku me qytetarët.
Nata e tretë dhe finale pati një program të veçantë. Në ekranin gjigant u shfaqën filma për fëmijë, si edhe një dokumentar kushtuar poetit të njohur Agim Doçi. Ndërkohë, Mariana Kondi vijoi të mbante gjallë atmosferën me humorin e saj dhe bashkëbisedimin me publikun.
E ftuara speciale e mbrëmjes finale ishte këngëtarja Maya, e cila solli ritmet e saj të njohura dhe krijoi një atmosferë festive. Me këngët popullore dhe muzikën ritmike, qytetarët u ngritën në valle, duke festuar deri në orët e vona të natës.
Vitet e fundit, Bashkia Kuçovë e ka kthyer Parkun e Ri në një hapësirë të rëndësishme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike, duke gjallëruar jetën sociale të qytetit dhe duke afruar komunitetin me artin.
Me një mbrëmje plot emocion, muzikë dhe pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve, u mbyll edhe edicioni i dhjetë i Open Cinema, duke lënë pas kujtime të bukura dhe premtimin për t’u rikthyer sërish verën e ardhshme.