Sektori i bujqësisë në Shqipëri po shënon një rritje të ndjeshme të formalizimit. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, gjatë vitit 2025 numri i fermerëve të vetëpunësuar që paguajnë kontribute ka arritur në 101 mijë e 88, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Krahasuar me një vit më parë, numri i fermerëve kontribuues është rritur me mbi 12 mijë persona, ndërsa në raport me vitin 2021 rritja arrin në rreth 74 për qind. Sipas specialistëve, ky zhvillim lidhet ngushtë me formalizimin e sektorit dhe me faktin se regjistrimi në skemën e sigurimeve shoqërore është një nga kushtet kryesore për të përfituar nga programet mbështetëse të bujqësisë.
Shumica e fermerëve të formalizuar, rreth 74.5 për qind, zhvillojnë aktivitetin në zonat fushore, të cilat japin edhe pjesën më të madhe të kontributeve në skemën e sigurimeve shoqërore.
Në renditjen kombëtare sipas qarqeve, Fieri mban vendin e parë, me 16 për qind të të gjithë fermerëve kontribuues në vend. Ky rezultat konfirmon edhe një herë rolin e qarkut si qendra kryesore e prodhimit bujqësor në Shqipëri. Pas Fierit renditen Elbasani, Vlora dhe Korça, ndërsa Gjirokastra dhe Kukësi kanë numrin më të ulët të fermerëve të formalizuar.
Paralelisht me rritjen e formalizimit, është zgjeruar edhe mbështetja financiare për fermerët. Përveç Skemës Kombëtare të Mbështetjes me një fond prej 30 milionë eurosh në vit, është zbatuar edhe Skema e Investimeve, duke e çuar fondin total në rreth 52 milionë euro. Ndërkohë, garancia sovrane synon të lehtësojë aksesin në kredi dhe të nxisë investimet në sektorin bujqësor.