Një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Tepelenë, Ura e Beçishtit, e ndërtuar në vitin 1819 nga Ali Pashë Tepelena mbi rrënojat e një ure mesjetare, vijon të mbetet një nga objektet më të vizituara nga turistë vendas dhe të huaj.
E vendosur poshtë Kalasë së Tepelenës, ura lidh shtatë fshatra me qytetin dhe për dekada me radhë ka shërbyer si rruga kryesore e qarkullimit për më shumë se 2 mijë banorë. Sot, ajo mbetet një simbol i rëndësishëm historik dhe arkitekturor, por gjendja e saj është shqetësuese.
Dyshemeja prej druri është dëmtuar ndjeshëm dhe në shumë segmente dërrasat janë kalbur, duke e bërë kalimin të rrezikshëm për banorët dhe vizitorët. Edhe pse vite më parë u ndërhy për forcimin e këmbëve të urës me mure guri, prurjet e lumit Vjosa kanë dëmtuar një pjesë të konstruksionit, duke e rikthyer monumentin në një gjendje të amortizuar që kërkon ndërhyrje.
Me një gjatësi prej rreth 260 metrash dhe një lartësi afro 6 metra, Ura e Beçishtit përfaqëson një vepër me vlera të veçanta historike, kulturore dhe arkitekturore.
Banorët kërkojnë ndërhyrje dhe mirëmbajtje të vazhdueshme të urës, jo vetëm për të ruajtur këtë monument kulture, por edhe për të garantuar një lidhje të sigurt mes fshatrave dhe qytetit të Tepelenës.
Përgjegjësia për administrimin dhe mirëmbajtjen e këtij monumenti i takon Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër.