Fshati Garunjas me një rrugë të re, banorët kërkojnë ruajtjen e investimit.

Një investim i përfunduar disa muaj më parë nga Bashkia Lushnjë ka ndryshuar ndjeshëm jetën e banorëve të fshatit Garunjas, pjesë e Njësisë Administrative Ballagat. Rruga kryesore, me gjatësi rreth 1 kilometër, i ka dhënë fund një problemi që banorët e kishin ngritur prej vitesh, duke përmirësuar lëvizjen dhe aksesin në këtë zonë.

Por ditët e fundit, në redaksinë e TV Apollon mbërriti një video e dërguar nga një banor i fshatit, i cili shprehte shqetësimin se një mjet i rëndë, gjatë punimeve në rrjetin e OSHE-së, kishte dëmtuar një pjesë të vogël të këtij aksi rrugor.

Për të verifikuar situatën nga afër, kamera e TV Apollon ishte në Garunjas, ku konstatoi gjendjen në terren dhe dëgjoi shqetësimin e banorëve. Sipas tyre, problematika ishte bërë e ditur edhe pranë drejtueses së Njësisë Administrative Ballagat.

Në një komunikim telefonik për TV Apollon, drejtuesja e njësisë, Anxhela Laboti, konfirmoi se është në dijeni të situatës dhe bëri të ditur se pjesa e dëmtuar do të riparohet së shpejti. Ajo siguroi banorët se institucionet kanë verifikuar gjendjen dhe se nuk ka vend për shqetësim.

Ndërkohë, nga pamjet e siguruara në terren rezulton se dëmtimi është i kufizuar dhe nuk cenon funksionalitetin e rrugës, e cila përgjatë gjithë gjatësisë së saj paraqitet në gjendje të mirë.

Banorët falënderuan TV Apollon për shqetësimin e tyre, si edhe drejtuesen e Njësisë Administrative Ballagat për reagimin dhe gatishmërinë për zgjidhjen e këtij problemi, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes së investimeve publike në shërbim të komunitetit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033