Një ngjarje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Babrru, në territorin e Komisariatit të Policisë Kamëz.
Sipas informacionit paraprak, rreth orës 20:25, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një subjekti të mbyllur, konkretisht një servisi celularësh. Pas të shtënave, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur ndjekjen e autorit të dyshuar. Rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes, uniformat blu kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit me iniciale R. M., rreth 18 vjeç, për veprime të mëtejshme procedurale.
Nga të dhënat paraprake, nuk raportohet për persona të dëmtuar apo të lënduar.