Po drejtonte gomonen dhe ra në det, shpëtohet 35-vjeçari te Gjiri i Llamanit.

Një incident që mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda u shmang falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë Kufitare në Himarë, pasi një gomone po lëvizte në mënyrë të pakontrolluar dhe me shpejtësi, pa persona në bord.

Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë në zonën e “Kepit të Rigonit”, përballë plazhit të Llamanit. Verifikimet zbuluan se drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi E.M., 35 vjeç, banues në Orikum, kishte rënë në det gjatë lëvizjes së gomones.
35-vjeçari arriti të dilte në gjirin e Llamanit, ku u gjet i dëmtuar në këmbë. Ai u transportua në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe, sipas autoriteteve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, gomonia vazhdonte të lëvizte pa kontroll, duke paraqitur rrezik serioz për mjetet e tjera lundruese dhe pushuesit në zonë. Një punonjës i Njësisë Policore Detare arriti të hipte në bord dhe ta ndalonte mjetin, ndërsa më pas ai u shoqërua në Pikën e Kontrollit Kufitar Himarë për verifikime të mëtejshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033