Zhvillohet Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë” në Klinë të Kosovës!

Për tre net me radhë, në Klinë të Kosovës u zhvillua Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë”, edicioni i 24-t, nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Komunës së Klinës. Ky aktivitet i rëndësishëm kulturor mblodhi 35 grupe dhe ansamble folklorike nga treva të ndryshme shqiptare, me pjesëmarrjen e 751 artistëve të veshur me kostume tradicionale, duke sjellë një mozaik të pasur të kulturës dhe traditës kombëtare.

Gjatë netëve të festivalit, publiku pati mundësinë të shijojë këngë dhe valle tradicionale, ku spikatën krijimet me tematikë patriotike dhe historike, duke përcjellë ndër breza vlerat e trashëgimisë sonë kulturore. Grupet pjesëmarrëse prezantuan folklorin autentik të trevave të tyre, ndërsa performancat u vlerësuan nga një juri e specializuar, e cila shqyrtoi interpretimin artistik, instrumentistët dhe kostumografinë karakteristike.

Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, i mbajtur më 6, 7 dhe 8 qershor 2026, iu kushtua komandantit Mujë Krasniqi dhe dëshmorëve të tjerë të kombit. Përveç promovimit të muzikës dhe valleve tradicionale, festivali ruan edhe karakterin konkurrues, duke nxitur cilësinë artistike dhe ruajtjen e vlerave folklorike shqiptare.

Qëllimi kryesor i këtij festivali është nderimi i luftës heroike të luftëtarëve dhe dëshmorëve të kombit, si dhe ruajtja e identitetit kulturor përmes artit folklorik.

Pjesë e këtij festivali ishte edhe Grupi Folklorik “Vaçe Zela” i Fiersheganit të Lushnjës, nën drejtimin e Maksim Kullës dhe përgjegjësit Novruz Xhaferri. Pas pesë performancave të interpretuara me nivel të lartë artistik, juria e festivalit e vlerësoi grupin me çmimin “Ansambli më i Kompletuar”.

Në këtë festival, ansambli përfaqësoi trevën e Myzeqesë me vallen e ngjales, dyshen myzeqare, vallen e vajzave dhe një kolazh me këngë myzeqare të interpretuara nga këngëtari Servet Jeshili. Performanca e grupit u prit me duartrokitje të shumta nga qytetarët dhe vizitorët që kishin mbushur sheshin e qytetit të Klinës, të cilët shijuan tingujt e muzikës tradicionale, vallet popullore dhe kostumografinë e pasur të trevës së Myzeqesë.

Ky festival bashkoi vlerat më të mira artistike dhe folklorike shqiptare, të sjella për tre net me radhë në Klinë të Kosovës, duke e kthyer qytetin në një qendër të rëndësishme të kulturës kombëtare.

Aktiviteti u ndoq nga afër edhe nga kamera e TV Apollon.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033