Shisnin armë zjarri e tritol nëpër kryeqytet, disa të arrestuar në Tiranë.

Një grup i rrezikshëm kriminal që merrej me tregtinë e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municioneve luftarake në zona të ndryshme të Tiranës është goditur nga policia. Operacioni i koduar “Rrjeti” është finalizuar me sukses nga uniformat blu të Komisariatit Nr. 4, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Gjatë fazës së fundit të këtij operacioni, policia ka vënë në pranga 4 shtetas dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjerë. Ndërkohë, bilanci tërësor i këtij hetimi të shtrirë në kohë është i frikshëm: në total janë arrestuar 9 persona dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, kallëpë tritoli e makina luksoze.

Në kuadër të operacionit “Rrjeti”, shërbimet e Komisariatit Nr. 4 kanë ekzekutuar urdhrat e ndalimit për 4 anëtarë të këtij grupi kriminal. Ata janë:

Marsel Varka, 35 vjeç

-Elsaed Maqinaj, 25 vjeç

-Fabian Zako, 29 vjeç

-Kristaq Biba, 32 vjeç

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e dy të rinjve: Kevin Vila, 21 vjeç dhe Bledar Avdillari, 28 vjeç.

Gjatë kontrollit të fundit, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), si dhe një sasi e madhe municioni luftarak.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta 6 shtetas, në bashkëpunim me 5 persona të tjerë që ishin arrestuar më herët nga policia, vepronin si një grup i mirëorganizuar kriminal. Ata siguronin armatime të rënda dhe lëndë plasëse dhe më pas i shitnin ato në pika të ndryshme të kryeqytetit, duke përbërë një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë publike.

Më parë, si pjesë e këtij rrjeti, ranë në pranga shtetasit: Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligor Mehmeti dhe Klodian Mustafa.

Si rezultat i të gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve të njëpasnjëshme ndaj këtij grupi, policia ka bllokuar një sasi të madhe armatimi:

-17 armë zjarri (pistoleta dhe automatikë)

-4 kallëpë lëndë plasëse (tritol)

-Sasi e madhe municioni luftarak

-4 automjete dhe 13 aparate celularë

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033