Finalizohet operacioni policor i koduar “Administratori” në qytetin e Sarandës, ku është arrestuar në flagrancë një 37-vjeçar i dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e rendit kanë goditur dy raste të veprimtarisë kriminale në një lokal në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar.
Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet A. H., 37 vjeç, banues në Sarandë, i cili administronte lokalin ku dyshohej se kryhej aktiviteti i paligjshëm.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit dhe gjatë kontrollit fizik ndaj tij, policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë me një krehër me 7 fishekë, si dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, e cila dyshohet se mbahej me qëllim shitjen.