Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj ish-zv-kryeministres Belinda Balluku.
Në një njoftim zyrtar, SPAK ka bërë të ditur se është sekuestruar vila e Ballukut në Dhërmi. Sipas SPAK ish.zv-kryeministrja Balluku, fshehu vilën në emër të Igli Tares.
Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k. Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”. Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B. Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C. Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024”, thuhet në reagimin e SPAK