“Specialistët braktisin fermerët”Frutikultura pa këshillim, prodhuesit përballen vetëm me dëmtuesit dhe humbjet!

Ky vit duket të jetë një vit i mbarë për frutikulturën në vend. Pemët frutore janë të mbushura me prodhim dhe fermerët presin një sezon pozitiv. Megjithatë, krahas prodhimit të mirë, problematikat në këtë sektor vazhdojnë të mbeten të shumta.

Specialistët e bujqësisë shprehen se çdo fermer apo prodhues për treg duhet të këshillohet vazhdimisht nga ekspertët për mënyrën e trajtimit të plantacioneve frutore. Sipas tyre, trajtimet nuk kryhen më si para viteve ’90, kur çdo kulturë frutore ndiqej në mënyrë të veçantë dhe bazuar në analiza të detajuara.

Por sot realiteti në terren duket krejt ndryshe. Agronomët dhe specialistët e sektorit rrallë shihen pranë fermerëve, ndërsa shumë prodhues detyrohen të marrin vendime vetë për trajtimet, shpesh pa informacionin e duhur. Fermerët thonë se institucionet dhe strukturat këshilluese janë larg problemeve reale të bujqësisë dhe kujtohen për fushën vetëm në kohë deklaratash.

Mungesa e kontrolleve dhe e këshillimit profesional po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e prodhimit, ndërsa dëmtuesit dhe sëmundjet në pemët frutore po shtohen nga viti në vit. Shumë fermerë ankohen se preparatet bujqësore që tregtohen në treg shpesh janë të dobëta dhe joefektive, duke u sjellë humbje ekonomike.

Nga ana tjetër, fermerët shprehen jashtë kamerave se frutikultura ka nevojë për specialistë në terren gjatë gjithë sezonit dhe jo vetëm në letër. Ata kërkojnë rikthimin e shërbimit agronomik pranë fermerit, pasi sipas tyre sot bujqësia është lënë thuajse në mëshirë të fatit.

Përveç këtyre problemeve, prodhuesit vendas përballen edhe me mungesën e tregut të shitjes. Importi i produkteve bujqësore me çmime më të ulëta po vështirëson konkurrencën dhe po ul fitimet e fermerëve shqiptarë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033