Kane përfunduar punimet për rikonstruksionin e rrugëve të brendshme të lagjes nr. 1 në qytetin e Roskovecit, projekt i financuar nga fondet e buxhetit lokal. Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, së bashku me nënkryetarin Maksim Goga, panë nga afër përfundimin e procesit të rindërtimit me standarde të reja të rrugëve të brendshme në lagjen e ish-SMT-së.
Kryebashkiakja Majlinda Bufi është shprehur për TV Apollon se Bashkia Roskovec ka përfunduar një nga investimet më të rëndësishme të infrastrukturës së brendshme rrugore të qytetit. Sipas saj, rikonstruksioni i rrugëve të brendshme përbën një ndërhyrje të thellë infrastrukturore, e realizuar sipas standardeve bashkëkohore, që pritet të përmirësojë ndjeshëm jetën e komunitetit dhe qarkullimin urban për banorët.
Banorët e lagjes nr. 1 në Roskovec theksojnë se zbatimi i këtij projekti i ka dhënë fund problematikave të vjetra të infrastrukturës në zonën ku jetojnë. Sipas tyre, ndërtimi i infrastrukturës nëntokësore dhe mbitokësore, sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha, ndërtimi i trotuareve dhe gjelbërimi janë investime të rëndësishme, të cilat tashmë duhet të pasohen edhe me ndriçimin publik.
Gjithashtu, banorët janë shprehur se ky investim ka qenë prej kohësh i domosdoshëm dhe se përfundimi i projektit i ka dhënë lagjes nr. 1 një rrjet rrugor të brendshëm të sigurt, funksional dhe afatgjatë, duke i dhënë njëkohësisht qytetit një pamje më moderne dhe më të aksesueshme.
Rrugët e brendshme të rikonstruktuara pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së jetës për komunitetin, në përmirësimin e qarkullimit urban, në lidhjen e lagjes me qendrën dhe periferinë, si edhe në lehtësimin e lëvizjes për qytetarët, bizneset dhe shërbimet. Ndërkohë, ky investim konsiderohet edhe një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit, është shprehur kryetarja e Bashkisë Roskovec, zonja Majlinda Bufi.
Kane përfunduar punimet për rikonstruksionin e rrugëve të brendshme të lagjes nr. 1 në qytetin e Roskovecit