Mblidhet Këshilli Bashkiak i Lushnjës, në fokus fondet sociale dhe projektet kulturore!

Në Lushnje u zhvillua sot mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak për muajin prill.
Mbledhja u drejtua nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Yrjet Dhima, ndërsa e pranishme ishte edhe kryebashkiakja Eriselda Sefa.

Pas verifikimit të kuorumit, kryetari Dhima falënderoi anëtarët për pjesëmarrjen dhe prezantoi pikat e rendit të ditës, të cilat u shqyrtuan një e nga një.
Fillimisht u miratua rendi i ditës.
Më pas, Këshilli shqyrtoi projekt-vendimin për miratimin e fondit për familjet në nevojë, që do të trajtohen me ndihmë ekonomike deri në 6% të fondit të kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike, si dhe për familjet që do të mbështeten nga fondet e buxhetit vendor për muajin mars 2026. Ky projekt u shqyrtua nga Komisioni Juridik, i Rendit dhe Situatave Emergjente, si dhe nga Komisioni i Ekonomisë, Problemeve Sociale dhe Strehimit.

Një tjetër pikë e rëndësishme ishte projekt-vendimi për përfundimin e procedurës së privatizimit të banesave shtetërore që kanë mbetur pa u regjistruar në zyrat përkatëse në Lushnje, i cili u trajtua nga Komisioni Juridik, i Rendit dhe Situatave Emergjente.

Gjithashtu, u diskutua edhe projekt-vendimi për përdorimin e fondit rezervë për realizimin e projektit kulturor dhe rinor “Miss Lushnja 2026”, i cili u shqyrtua nga Komisioni Juridik, si dhe nga Komisioni i Arsimit, Kulturës dhe Sportit.

Në përfundim të mbledhjes, u trajtuan edhe çështje të ndryshme të ngritura nga anëtarët e këshillit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033