Në qytetin e Lushnjë është çelur panairi ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2026”, i cili këtë vit vjen në edicionin e 5-të.
Për tre ditë me radhë, nga 28 deri më 30 prill, sheshi qendror i qytetit do të mirëpresë fermerë, kompani, ekspertë dhe inovatorë nga Shqipëria dhe rajoni, duke e kthyer Lushnjën në një pikë takimi për zhvillimet më të fundit në bujqësi.
Në këtë panair prezantohen teknologjitë më të reja në sektorin bujqësor, produkte vendase cilësore, si dhe krijohen mundësi konkrete bashkëpunimi dhe zhvillimi biznesi. Gjithashtu, aktiviteti synon të sjellë ide dhe modele të reja që ndikojnë në rritjen dhe modernizimin e bujqësisë.
Të pranishëm në ditën e parë të çeljes ishin përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, mes tyre ministri i Bujqësisë, Andis Salla, si dhe kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa.
Ceremonia e hapjes nisi me një program artistik, për të vijuar më pas me fjalën e organizatorëve të panairit. Më tej, të pranishmit u përshëndetën nga kryebashkiakja Eriselda Sefa, e cila theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti për mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin ekonomik të zonës.