Këto pamje vijnë nga qendra shëndetësore në Remas, në Divjakë, konkretisht në fshatin Bedat, ku godina që duhet të ishte model i higjienës dhe kujdesit shëndetësor për qytetarët, paraqitet në gjendje të rënduar dhe jashtë çdo standardi.
Prej më shumë se tre dekadash, kjo qendër shëndetësore nuk ka njohur asnjë investim serioz për përmirësimin e infrastrukturës. Lagështia dhe myku janë të pranishme në ambientet e brendshme, duke e kthyer këtë hapësirë në një vend të papërshtatshëm jo vetëm për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, por edhe për vetë qëndrimin e qytetarëve.
Banorët e zonës shprehen jashtë kamere se premtimet nga përfaqësues të ndryshëm politikë kanë qenë të shumta ndër vite, por deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për rehabilitimin e kësaj godine. Ata theksojnë se kërkojnë shërbim shëndetësor në kushte dinjitoze, larg kushteve aktuale që rrezikojnë shëndetin e tyre.
Ndërkohë, edhe personeli shëndetësor që punon në këtë qendër përballet çdo ditë me vështirësi, në ambiente të amortizuara dhe të papërshtatshme për ushtrimin e profesionit.
Situata bëhet edhe më shqetësuese në prag të sezonit turistik, kur zona e Divjakës pritet të frekuentohet nga vizitorë të shumtë dhe shërbimi shëndetësor duhet të jetë në gatishmëri të plotë. Aktualisht, godina e qendrës shëndetësore mbetet simbol i neglizhencës dhe mungesës së investimeve në një sektor jetik si shëndetësia.