Komuna e Tuzit, vetëm 5 km nga dogana, ishte ndalesa jonë e radhës, ku qëndruam në qendrën e saj duke eksploruar hapësirat kryesore të qytetit dhe sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i cili qëndron krenar, duke mbartur historinë e shqiptarëve.
Në Komunën Tuz, ne njohëm më nga afër jetën në këtë qytet, një shembull i bashkëjetesës mes shqiptarëve, malazezëve, serbëve dhe boshnjakëve.
Pas pamjeve nga qendra e kësaj qyteze, udhëtimi ynë vijoi drejt fshatit Milesh. Pikërisht në qendër të këtij fshati ndodhet busti i Bacë Kurtit Gjokajve, një figurë legjendare e historisë së vitit 1912, i cili kundërshtoi ndarjen e territoreve shqiptare. Sot ai qëndron krenar në vendlindjen e tij, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kësaj komune.
Kamera e TV Apollon sjell këto pamje të veçanta nga një komunë dhe qytezë fqinje, ku komunitete të ndryshme jetojnë së bashku në harmoni.
Një qytet i vogël në përmasa, por i madh në vlera njerëzore dhe historike.
Tradita dhe kultura ndërthuren në çdo rrugicë e familje të kësaj zone.
Mikpritja e banorëve e bën çdo vizitor të ndihet si në shtëpinë e vet.Një shembull i gjallë se bashkëjetesa është pasuri dhe forcë për të ardhmen.