Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Bolonjas në Itali, ku një 12-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pas një aksidenti.
Viktima është identifikuar si Louis Pisha, i cili humbi jetën pasi ra nga kati i tetë i një ndërtese në rrugën Via Piave. Sipas informacioneve paraprake, i mituri po luante me dy shokë në tarracën e pallatit kur ndodhi ngjarja.
Dyshohet se 12-vjeçari ka shkelur mbi një dritare çatie prej pleksiglasi, e cila u thye papritur nën peshën e tij. Fillimisht ai është përpjekur të mbahet pas kornizës, ndërsa shokët e tij tentuan ta ndihmonin, por pa arritur ta shpëtonin. Për pasojë, ai ka rënë nga një lartësi e madhe, duke ndërruar jetë në vend.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë policia, zjarrfikësit dhe shërbimet e emergjencës, por çdo përpjekje për ta shpëtuar rezultoi e kotë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 të ditës së djeshme dhe, sipas autoriteteve lokale, dyshohet se bëhet fjalë për një aksident tragjik.
I mituri, me origjinë shqiptare, nuk jetonte në ndërtesën ku ndodhi aksidenti. Pas ngjarjes, në vendin e tragjedisë mbërritën prindërit dhe familjarët e tij, të cilët shpërthyen në dhimbje të thellë për humbjen e parakohshme të djalit të tyre.