Transaksionet online në rritje, bankat paralajmërojnë për shtim të krimeve kibernetike

Përdorimi i shërbimeve bankare digjitale në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta, por paralelisht po shtohet edhe rreziku nga mashtrimet online dhe krimet kibernetike.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë kryer rreth 12 milionë transaksione bankare online, një rritje me 23% krahasuar me vitin 2024.

Guvernatori Gent Sejko theksoi se digjitalizimi i sistemit financiar ka sjellë lehtësi dhe përdorim më të gjerë të shërbimeve bankare nga qytetarët.

“Ka një avancim të madh në transaksionet përmes kanaleve digjitale dhe kartave,” u shpreh ai gjatë hapjes së aktivitetit “Java e Parasë”.

Megjithatë, përfaqësues të sektorit bankar paralajmërojnë se ky zhvillim rrit edhe ekspozimin ndaj rreziqeve.

“Nëse ndajmë fjalëkalimin apo përdorim llogaritë në ambiente të pasigurta, rreziku rritet ndjeshëm. Një pagesë është vetëm një klik larg, por po aq afër janë edhe mashtruesit,” tha Spiro Brumbulli nga Shoqata e Bankave.

Sipas statistikave të Ministrisë së Brendshme, vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 1308 raste të krimit kibernetik, një pjesë e konsiderueshme e të cilave lidhen me ndërhyrje në llogaritë bankare.

Autoritetet theksojnë se rritja e përdorimit të teknologjisë kërkon edhe kujdes më të madh nga përdoruesit, për të shmangur rreziqet që lidhen me sigurinë digjitale.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033