Vizita e saj vjen pak kohë pas ankesave të banorëve të zonës në Tv Apollon, të cilët kanë ngritur shqetësimin për rrezikun që paraqet kjo rrugë. Deputetja ka premtuar se problemi do të trajtohet përmes rrugëve institucionale, duke i kërkuar bashkisë që të detyrojë subjektin zbatues të ndërhyjë menjëherë për riparimin e pjesëve të dëmtuara.
Sipas saj, dëmtimet kanë përgjysmuar gjerësinë e rrugës, duke e kthyer atë në një burim potencial aksidentesh dhe një rrezik serioz për jetën e këmbësorëve dhe të gjithë përdoruesve të saj. Një rrugë e shkatërruar, një komunitet i braktisur dhe një projekt që në vend të zgjidhjes solli probleme nga punimet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, kanë lënë pas një realitet të vështirë për banorët dhe drejtuesit e mjeteve.
Haxhiu është shprehur se heshtja e institucioneve nuk është më opsion, ndërsa banorët kërkojnë zgjidhje dhe jo premtime. Ajo theksoi se nëse nuk ka reagim, çështja do të rikthehet sërish me fakte dhe përgjegjësi konkrete, deri në rikthimin e rrugës në standard.
Sipas deputetes, investimet publike nuk mund të kthehen në barrë për qytetarët, ndërsa kjo situatë përbën një dështim të qartë institucional dhe një shembull se si mungesa e kontrollit dëmton jetën e përditshme të taksapaguesve.