Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos kalojë për shqyrtim kërkesën e Fredi Belerit, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme për dënimin e tij me burg.
Ish-kryebashkiaku i Himarës kishte kundërshtuar vendimin e GJKKO, si dhe vendimet e Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë, që e dënuan me 2 vite burg për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Sipas vendimit të Kushtetueses, çështja nuk u pranua për shqyrtim në seancë plenare, duke mbyllur kështu këtë rrugë ligjore për Belerin.
Ai u arrestua më 12 maj 2023, vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale, ndërsa u dënua më 5 mars 2024, vendim që u konfirmua në të gjitha shkallët e tjera të gjyqësorit.
Në të njëjtën çështje u dënua edhe Pandeli Kokaveshi me 1 vit e 6 muaj burg, dënim që u pezullua dhe u zëvendësua me shërbim prove për tre vite.
Pas rreth 16 muajsh në burg, Beleri u lirua me kusht, pasi kishte kryer dy të tretat e dënimit.
Gjatë kohës që vuante dënimin, ai u zgjodh eurodeputet në 10 qershor 2024 nën siglën e “Demokracia e Re”, ndërsa në korrik u betua në Strasburg, me lejen e autoriteteve shqiptare.