Tenderi 700 mln lekë, GJKKO çon në gjyq Benet Becin dhe 6 të tjerë

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.

Së bashku me të, në gjyq do të përballen edhe gjashtë persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në të njëjtën çështje.

Sipas SPAK, abuzimi dyshohet se është kryer gjatë kohës kur Beci mbante detyrën e administratorit të KESH, ku sipas akuzës ai është koordinuar me të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Adela Ruko, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti.

Hetimet lidhen me një tender me vlerë rreth 700 milionë lekë, për të cilin dyshohet se është krijuar avantazh i padrejtë për një kompani të caktuar.

Sipas organit të akuzës, shkeljet kanë përfshirë disa faza të procedurës, nga përllogaritja e fondit limit dhe hartimi i termave të referencës, deri te vlerësimi i ofertave.

Dosja është regjistruar në vitin 2024 nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe ka nisur pas verifikimeve të kryera në telefonin e ish-zyrtarit Evis Berberi, i përfshirë në hetime të tjera për tendera.

GJKKO ka vendosur që çështja të vijojë në gjykim, ku pritet të shqyrtohen provat dhe roli i secilit prej të pandehurve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033