Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Ergys Agasi, i shpallur në kërkim, është parë në zonën e Surrelit, duke paralajmëruar zhvillime të reja lidhur me masën e sigurisë ndaj tij.
Duke iu referuar një denoncimi nga ajo që e quajti “qytetari dixhital”, Berisha tha se Agasi është parë duke lëvizur me automjet drejt kësaj zone.
“Sipas qytetarit dixhital ai është parë me makinën e tij… duke shkuar në Surrel. A fshihet apo shkoi në takim, nuk mund ta them,” u shpreh ai.
Kreu i opozitës shtoi se, sipas tij, shumë shpejt ndaj Agasit mund të ketë ndryshime në masën e sigurisë.
“Ju them me siguri se së shpejti do t’i hiqet edhe masa e arrestit… nuk ka më masë arresti për Agasin,” deklaroi Berisha.
Ai e lidhi këtë çështje edhe me zhvillimet politike në vend, duke akuzuar qeverinë për ndikim në drejtësi.
Në të njëjtën dalje, Berisha u ndal edhe te protesta e paralajmëruar më 22 mars, duke e cilësuar si një moment të rëndësishëm për opozitën.
“22 marsi është dita e kryengritjes më të fuqishme paqësore që ka njohur Shqipëria,” tha ai, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestë.