Qeveria shqiptare pritet të marrë përsipër një pjesë të borxheve të kompanisë ajrore “Air Albania”, pas vështirësive financiare dhe ndërprerjes së aktivitetit të saj.
Sipas informacioneve nga burime pranë Ministrisë së Financave, është diskutuar një marrëveshje ndërmjet ministrisë, kompanisë “Air Albania” dhe disa kompanive kontraktore për të zgjidhur detyrimet financiare të krijuara nga transportuesi ajror.
Këto detyrime lidhen me qiranë e avionëve, tarifat e shërbimeve aeroportuale, furnizimin me karburant dhe shërbimet e cateringut.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë viteve të aktivitetit të saj në 14 destinacione, kompania ka krijuar rreth 100 milionë euro detyrime ndaj kontraktorëve të huaj, disa prej të cilëve i janë drejtuar edhe gjykatave ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes.
Për të shmangur përshkallëzimin e proceseve gjyqësore dhe kostot financiare, qeveria po shqyrton mundësinë e shlyerjes së rreth 35 milionë eurove detyrime të kompanisë.
Shteti shqiptar zotëron 10% të aksioneve në “Air Albania”, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve i përket kompanisë “Turkish Airlines” dhe shoqërisë “MDN Investment”, në pronësi të biznesmenit Sinan Idrizi.
Sipas skemës që po diskutohet, fondi prej 35 milionë eurosh do të administrohet për shlyerjen e detyrimeve ndaj kontraktorëve, ndërsa detyrimi ndaj qeverisë shqiptare parashikohet të rikthehet në një periudhë afatgjatë.
Megjithatë, mekanizmi financiar konsiderohet i ndërlikuar, pasi kompania ka ndërprerë aktivitetin dhe ndodhet në proces likuidimi.
Rreth shtatë muaj më parë, Autoriteti i Aviacionit Civil i Shqipërisë pezulloi aktivitetin e “Air Albania” për shkak të shkeljeve kontraktore. Pas këtij vendimi, disa aeroporte ndërprenë shërbimet për kompaninë dhe kontraktorët bllokuan avionët e dhënë me qira.
Në nëntor 2025, kompania “Turkish Airlines”, përmes filialit të saj që zotëron 49% të aksioneve, njoftoi gjithashtu nxjerrjen në shitje të pjesës së saj në këtë projekt.
Ndërkohë edhe kompania “MDN Investment”, që zotëron 41% të aksioneve, ka ndërprerë aktivitetin e transportit ajror në këtë kompani.