“Kam 17 hyrje në Fier” – si u pastruan milionat e drogës mes Belgjikës dhe Shqipërisë

Një hetim i autoriteteve belge dhe shqiptare ka zbuluar një skemë pastrimi parash që lidh trafikun ndërkombëtar të drogës me investime të mëdha në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.

Në qendër të kësaj skeme ishte Besjan Ramaj, 56 vjeç, një shtetas shqiptar me banim në Anversë të Belgjikës, i cili sipas dosjeve hetimore kishte qenë për më shumë se një dekadë i përfshirë në aktivitet kriminal të lidhur me narkotikët.

Në një bisedë të përgjuar nga autoritetet belge në vitin 2019, Ramaj fliste për pasuritë që kishte në Shqipëri.

“Kam në Fier 17 hyrje, në Durrës nja 15, në Tiranë nja 7 dhe disa dyqane,” citohet ai në dosjen gjyqësore.

Hetimet tregojnë se paratë e përfituara nga trafiku i drogës janë futur në qarkullim përmes një skeme që përfshinte biznese të ligjshme dhe transaksione fiktive. Sipas hetuesve, një rol kyç në këtë proces kishte biznesmeni Ardjan Malasi, përmes kompanisë së tij “Ledio – 04”, e cila shërbente si mbulesë për qarkullimin e parave.

Malasi, i cili nuk kishte precedentë penalë, dyshohet se ka përdorur biznesin e tij për të futur para cash në qarkullim dhe për t’i investuar në pasuri të paluajtshme në emër të Ramajt.

Një nga rastet e dokumentuara nga hetimi ishte shitja fiktive e një ullishteje në Belishovë të Mallakastrës për 102 mijë euro, para që më pas u transferuan në Belgjikë dhe u përdorën për blerjen e një apartamenti me vlerë 198 mijë euro.

Autoritetet belge kishin nisur hetimet ndaj Ramajt që në vitin 2017, ndërsa në vitin 2020 ai u arrestua. Në tetor 2021, një gjykatë në Belgjikë e dënoi me 8 vite burg dhe 80 mijë euro gjobë për kultivim kanabisi dhe përfshirje në transportin e 1550 kilogramëve kokainë. Në të njëjtin proces u dënua edhe vëllai i tij, Leonard Ramaj, me 2 vite burg dhe 8 mijë euro gjobë.

Pas informacioneve të dërguara nga autoritetet belge, SPAK hapi në vitin 2023 një hetim për pastrim parash ndaj Besjan dhe Leonard Ramajt, si dhe ndaj Ardjan Malasit dhe Rajmonda Dashit, një ish-drejtoreshë e Kadastrës.

Gjatë hetimit u sekuestruan 19 apartamente dhe garazhe në Fier dhe Tiranë, me një vlerë të përllogaritur rreth 1.2 milionë euro.

tetor 2025, Gjykata e Posaçme i shpalli të katërt fajtorë për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, ndërsa hodhi poshtë akuzën për grup të strukturuar kriminal. Të pandehurit i kanë mohuar akuzat.

Sipas vendimit të gjykatës, skema përfshinte përdorimin e parave cash, faturave fiktive, transaksioneve të huasë dhe transfertave ndërmjet llogarive bankare, për të integruar në ekonomi fondet e përfituara nga aktiviteti kriminal.

Prokuroria e Posaçme thekson se përdorimi i personave me profil të pastër penal dhe i bizneseve të ligjshme është një nga mënyrat më të zakonshme që përdorin rrjetet kriminale për të pastruar paratë.

Vetëm gjatë vitit 2025, SPAK deklaroi se ka sekuestruar dhe konfiskuar 45.4 milionë euro asete kriminale, ku mbi 98 për qind dyshohet se kanë origjinë nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033