Është publikuar fotografia e Jurgen Gjonajt, 32-vjeçarit që dyshohet se vendosi dhe shpërtheu lëndën plasëse në automjetin e Oltjon Klosit në Tiranë.
Sipas hetimeve, Gjonaj ka vepruar i ndihmuar nga gjashtë persona të tjerë, ndërsa vendosja e tritolit dyshohet se është bërë me porosi të Sabah Nuzit, i cili aktualisht ndodhet i paraburgosur në IEVP Fushë-Krujë dhe akuzohet për vepra të rënda kriminale.
Nga hetimet ka rezultuar se Kristjan Ahmerama, Renato Balla dhe Eklips Leti i kanë siguruar autorit fotografitë dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur, banesën ku është strehuar si dhe sasinë e lëndës eksplozive.
Ndërkohë, Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla dyshohet se kanë transportuar me automjet Jurgen Gjonajn në datën 10 mars 2026, drejt rrugës “Vasil Ndoçka” në Tiranë, ku u vendos eksplozivi.
Automjeti i Oltjon Klosit u dëmtua nga shpërthimi, ndërsa nga ngjarja pati vetëm dëme materiale.
Sipas të dhënave hetimore, Klosi është një person me precedent penal dhe dyshohet se motiv për vendosjen e tritolit mund të jetë aktiviteti i tij në Spanjë.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Sabah Nuzi, 33 vjeç, i cili dyshohet se ka porositur vendosjen e eksplozivit, akuzohet për përfshirje në vrasjen e Klevis Lleshit, për të cilën dyshohet se ka vepruar kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh.
Nuzi është arrestuar më 26 shtator të vitit të kaluar, i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, i konsideruar porositësi i vrasjes së 22-vjeçarit.
Ai rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2020 është arrestuar nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person, ndërsa në vitin 2012, kur ishte 18 vjeç, është arrestuar për plagosjen e tre personave me pistoletë.
Aktualisht, Sabah Nuzi ndodhet në burgun e Fushë-Krujës, i akuzuar për disa vepra penale, mes tyre “Vrasje për gjakmarrje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Organizata kriminale”.
Ngjarja u zbardh pas operacionit policor “Porosia”, gjatë të cilit u arrestuan 7 persona dhe u sekuestruan biçikleta e përdorur në ngjarje, rrobat e autorit, automjetet e përdorura dhe aparatet celularë të të dyshuarve.