Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se pengoi arrestimin e Belinda Ballukut për të mbrojtur, sipas tij, vjedhjet e qeverisë.
Kreu i Partisë Demokratike i bëri këto deklarata nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u paraqit për zbatimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” në lidhje me çështjen “Partizani”.
Berisha komentoi edhe vendimin e Partisë Socialiste për të mos lejuar arrestimin e Belinda Ballukut, duke e lidhur atë me përgjegjësinë politike të kryeministrit.
Sipas tij, protesta e paralajmëruar më 22 mars do të jetë një përballje për rrugën europiane të vendit.
“22 marsi është një betejë për Europën, për rrugën evropiane. Është një betejë kundër një njeriu që për të mbrojtur vjedhjet e tij, iu mbylli shqiptarëve dyert e integrimit në BE. Këto dyer nuk mund t’i hapë askush, nuk mund t’i hapë asnjë vend, nuk mund t’i hapë asnjë institucion tjetër përveç qytetarëve shqiptarë, të cilët duhet të ngrihen fuqishëm në këtë betejë”, deklaroi Berisha.
Ai paralajmëroi gjithashtu kryeministrin se, sipas tij, çështjet ndaj tij nuk mund të mbyllen.
“I them Edi Ramës mos mendo se ke mbyllur dosjen tënde. Kurrë! Dosja jote nuk mbyllet kurrë, as me një Lubi, as me 5 Lubi. Bëj ç’të duash, të gjitha janë vetëm për Edi Ramën dhe absolutisht sovrani do të thotë fjalën e tij, do të jetë sovrani ai që do t’i tregojë vendin dhe do e çojë në bankën e të akuzuarve siç e meriton”, u shpreh ai.
I pyetur nëse opozita do të bashkojë votat me mazhorancën për ndryshimet e paralajmëruara ligjore, përfshirë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale që mund të pengojnë GJKKO të pezullojë ministrat nga detyra, Berisha u shpreh kundër.
“Ato janë ndryshime antikushtetuese dhe ne nuk bashkojmë kurrë asnjë votë me Edi Ramën. Kjo të jetë shumë e prerë”, tha Berisha.