“Kur një gjeneral respekton parimet dhe jo karrigen”

Në dhjetor të vitit 2018, presidenti Donald Trump njoftoi një tërheqje të menjëhershme të trupave amerikane nga Syria. Vendimi i tij u mor pa marrë parasysh mendimin e Sekretarit të tij të Mbrojtjes.

Sekretari i Mbrojtjes ishte gjenerali James Mattis, i cili shkoi menjëherë në Zyrën Ovale. Ai argumentoi se tërheqja nga Siria ishte një gabim i rëndë taktik për Amerikën, por presidenti i zgjedhur nuk mori parasysh këshillat e Sekretarit të tij. Gjenerali e humbi debatin.

Të nesërmen në mëngjes, ai dha dorëheqjen.

Në dorëheqjen e tij nuk kishte justifikime. Ai nuk e fshehu të vërtetën me gjuhë të kujdesshme. Në letër shkruante se “presidenti meriton një Sekretar të Mbrojtjes, pikëpamjet e të cilit përputhen me të tijat”, dhe se ai, James Mattis, nuk mund të ishte më ai person.

Dorëheqja e tij bëri bujë në korridoret e politikës së Washingtonit. Senatorë nga të dyja partitë e quajtën atë dorëheqjen më parimore që kishin parë në një brez të tërë.

Gjenerali, i cili ishte përplasur edhe me një president tjetër, Barack Obama, u largua nga detyra pa bujë, pa konferenca shtypi, pa ankesa dhe pa asnjë intervistë negative kundër presidentit që e kishte zgjedhur në atë detyrë.

Gjenerali Mattis, i mbiquajtur “Gjenerali Murg” ose “Qeni i Tërbuar”, ishte një nga ushtarakët më interesantë të gjysmës së shekullit të fundit. Ai shpesh është krahasuar me gjeneralin e famshëm të Luftës së Dytë Botërore, George S. Patton, jo vetëm për karakterin e tij të fortë, por edhe për studimet e thelluara mbi betejat antike.

Një ushtarak karriere, që jetën ia kushtoi ushtrisë, ai ishte i njohur për disiplinën e rreptë ndaj trupave të tij, por edhe për kujdesin dhe respektin ndaj ushtarëve që kishte nën komandë.

I famshëm për bibliotekën e tij të madhe, ai mbante gjithmonë me vete librin “Meditatimet” të perandorit romak Marcus Aurelius.

Gjenerali Mattis, i cili udhëhoqi trupat e tij në dy nga operacionet më të rëndësishme të marinsave amerikanë në Irak dhe Afganistan, nuk krijoi familje, por iu përkushtua ushtrisë.

Dedikimi i tij ndaj trupave që komandonte dhe moralit ushtarak e bëri atë të qëndronte përballë dy presidentëve për të mbrojtur qëndrimet e tij, nderin e ushtrisë dhe parimet që besonte.

Në të dyja rastet, ai zgjodhi parimet dhe jo karrigen.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033