Në atë sallë nuk ishte vetëm një gazetare që bëri një pyetje.
Ishin edhe shumë të tjerë që heshtën.
Dhe pastaj nëpër lajme, gazeta, portale e studio televizive u shkrua:
“Tha kryeministri…”
Sikur të kishte folur Zoti.
Lum për ta.
Sepse ne si shoqëri, për shekuj të tërë, kemi pasur një zakon të keq:
t’i përkulemi pushtetit.
I jemi përkulur pushtuesve: turkut, italianit, gjermanit.
Iu përkulëm komunizmit.
Dhe sot, në atë që e quajmë demokraci, vazhdojmë t’i përkulemi pushtetit.
Ndoshta pak më rrallë.
Por prapë mjaftueshëm sa për ta mbajtur dikë gjithmonë në majë.
Sepse si shoqëri shpesh mendojmë vetëm për të mbushur barkun,
jo për të ruajtur dinjitetin.
Harrojmë se pasuria më e madhe që mund t’u lëmë brezave
nuk janë paratë.
Janë vlerat.
Të mos përulesh.
Të mos shitesh.
Të mos blesh e të mos shitesh si plaçkë.
Sepse mbi të gjitha kemi nevojë të mbetemi njerëz.
Ata që ishin në atë sallë nuk janë gazetarë nëse heshtin përballë pushtetit.
Gazetari që nuk pyet, nuk është gazetar.
Ai është vetëm një mikrofon pa personalitet.
Sepse media nuk është aty për dekor në konferencat e pushtetit.
Nuk është aty për të duartrokitur.
Media është aty për të pyetur.
Dhe pikërisht kur pyetjet bëhen të vështira,
aty matet durimi i pushtetit me demokracinë.
Sepse demokracia nuk ka nevojë për gazetarë që duartrokasin.
Demokracia ka nevojë për gazetarë që nuk heshtin.
Sepse gazetari nuk përfaqëson vetëm veten.
Ai përfaqëson publikun.
Dhe zëri i publikut nuk mund të nxirret jashtë nga salla
vetëm sepse pushtetit nuk i pëlqen pyetja.
Paulini Macaj