Një aksident rrugor u regjistrua pasditen e sotme në rrugën dytësore drejt fshatit Baltëz, në Fier. Dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën, duke lënë tre persona të lënduar.
Në aksident u përfshi një automjet tip “Audi”, me drejtues shtetasin Rrapi Mile, dhe një kamionçinë tip “Nissan”, me drejtues shtetasin Alban Hebeja.
Si pasojë e goditjes së fortë, drejtuesi i kamionçinës dhe dy pasagjerët që udhëtonin me të pësuan lëndime. Të tre u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier.
Burime nga shërbimet mjekësore bëjnë me dije se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë efektivët e policisë dhe grupi hetimor. Po kryhen veprimet procedurale për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar shkakun e aksidentit.
Dëmet materiale raportohen të konsiderueshme. Dinamika e plotë e përplasjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza autoteknike.