Edi Rama ka pasur një shqetësim të veçantë përpara seancës parlamentare për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke kërkuar që të gjithë deputetët të ngrinin kartonët e kuq për të rrëzuar kërkesën e SPAK. I vetëdijshëm se kjo situatë krijonte tension edhe brenda radhëve të socialistëve dhe se mund të kishte presione nga faktorë të ndryshëm, kryeministri ka mbledhur dy herë brenda një jave kryesinë e Partisë Socialiste.
Sipas burimeve nga mbledhja, diskutimet e së mërkurës janë shoqëruar me tone të ashpra dhe paralajmërime të forta ndaj kujtdo që mund të mendonte të votonte për heqjen e imunitetit apo që do të mungonte në seancë. Në fund, votimi i së enjtes u mbyll me 83 vota kundër kërkesës së SPAK, falë edhe mbështetjes së deputetëve të Tom Doshit.
Megjithatë, në sallë munguan disa figura të rëndësishme. Mes tyre përmendet ministri Blendi Gonxhja, i cili zyrtarisht ndodhej në një vizitë pune jashtë vendit, si edhe deputeti Fatmir Xhafaj, i cili e konsideroi të papranueshme personalisht të votonte kundër SPAK. Po ashtu, në seancë nuk ishte e pranishme as Elisa Spiropali, për të cilën në ambientet politike thuhet se ka pasur përplasje të mëhershme lidhur me Belinda Ballukun.
Sipas burimeve të pranishme në mbledhje, momentet më të tensionuara janë shënuar pikërisht gjatë diskutimit me Spiropalin, kur Rama i është drejtuar asaj me një gjuhë të ashpër, duke i kërkuar të mos ndërhynte në debat dhe duke theksuar se vendimet për emërimet dhe largimet në qeveri i takojnë vetëm atij.
Një nga personat që ka marrë pjesë në mbledhje e ka përshkruar atmosferën si një nga më të tensionuarat që ka parë ndonjëherë në kryesinë e partisë. Sipas tij, Rama ishte i shqetësuar dhe i irrituar, duke ngritur zërin dhe duke reaguar emocionalisht gjatë diskutimeve.
Sipas të njëjtit burim, kryeministri akuzonte anëtarët e kryesisë se informacionet e brendshme po dilnin në media, ndërsa në të njëjtën kohë përdorte një gjuhë të ashpër ndaj tyre. Ai mësohet t’u ketë thënë të pranishmëve se nuk kishte më kuptim mbledhja e kryesisë nëse diskutimet përfundonin në portale dhe media.
Në shënjestër të kritikave u vu edhe sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi. Rama i kërkoi atij që të ishte më aktiv në drejtimin dhe disiplinimin e strukturave të partisë, duke e kritikuar për mënyrën se si po e ushtronte rolin e tij.
Sipas burimeve, gjatë mbledhjes Rama përdori edhe tone shumë të forta për të theksuar rolin e tij në drejtimin e partisë dhe faktin se Partia Socialiste kishte arritur të qëndronte në pushtet për katër mandate radhazi nën drejtimin e tij.
Frazat që u përmendën në mbledhje përfshinin mesazhe të qarta për unitet dhe disiplinë brenda partisë. Një nga deklaratat që lidhej drejtpërdrejt me votimin në parlament ishte edhe paralajmërimi:
“Kush më del kundër do e sakatoj”.
Sipas burimeve nga mbledhja, shumica e anëtarëve të kryesisë nuk prisnin që votimi për Ballukun të përbënte problem, pasi parashikohej të kalonte me shumicë të qartë. Megjithatë, mënyra e fortë e komunikimit u interpretua nga disa si një mesazh politik për të treguar kontrollin e plotë mbi grupin parlamentar.
Në fund, votimi u zhvillua ashtu siç pritej dhe kërkesa e SPAK u rrëzua me shumicë votash. Ky rezultat konfirmoi edhe një herë disiplinën e fortë të grupit parlamentar socialist.
Megjithatë, sipas burimeve politike, mënyra se si u zhvilluan diskutimet në mbledhjen e kryesisë ka lënë pas një atmosferë tensioni dhe debat brenda radhëve të partisë.