“Më kapi për fyti…” – Sherr mes mjekëve në Tiranë, kryeinfermierja kallëzon gjinekologun

Futja me urgjencë në sallën e operacionit e një gruaje që duhej të sillte në jetë foshnjën e saj është bërë shkak për një konflikt fizik mes një mjeku dhe një kryeinfermiereje në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë.

Përplasja mes dy punonjësve të shëndetësisë është regjistruar në fillim të muajit janar 2026. Në momentin e konfliktit në ambientet e maternitetit ndodhej edhe pacientja që priste të lindte.

Pas ngjarjes, policia e Tiranës arrestoi mjekun gjinekolog Julian Habibaj. Prokurori i çështjes kërkoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, duke e akuzuar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Megjithatë, Gjykata e Tiranës nuk e pranoi këtë kërkesë dhe vendosi ndaj mjekut masën “detyrim për paraqitje”.

Ngjarja është denoncuar nga kryeinfermierja e sallës së operacionit obstetrik, Rabije Allaraj, e cila ka deklaruar se është goditur dhe është kapur për fyti nga mjeku Habibaj.

Sipas saj, rreth orës 14:00 ajo ndodhej në sallën e operacionit kur mjeku Julian Habibaj i kishte thënë se kishte një operacion për të kryer. Kryeinfermierja është drejtuar te pacientja dhe ka kontrolluar kartelën mjekësore, pasi sipas detyrës së saj duhet të verifikojë dokumentacionin dhe firmat përkatëse para ndërhyrjes kirurgjikale.

Ajo ka deklaruar se në kartelën e pacientes, e cila ishte shtruar në spital që nga mëngjesi, mungonte konsultimi mjekësor i ditës së operacionit, i cili konsiderohet dokument thelbësor për kryerjen e ndërhyrjes.

Më tej, kryeinfermierja ka marrë kartelën dhe i është drejtuar mjekut duke i kërkuar që të plotësonte dokumentacionin dhe ta firmoste, në mënyrë që operacioni të mund të kryhej sipas procedurave.

Sipas dëshmisë së saj, mjeku Habibaj e ka marrë kartelën dhe e ka hedhur në tokë nga nervozizmi. Kur ajo i ka kërkuar të ruante qetësinë, ai është afruar dhe i ka vendosur duart rreth qafës duke e shtrënguar.

Kryeinfermierja ka deklaruar se në atë moment askush nuk ndërhyri menjëherë. Ajo shton se mjeku i ka hedhur telefonin në tokë dhe e ka kërcënuar gjatë debatit. Më pas një nga koleget ka ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe dy punonjësit kanë dalë në korridor.

Në lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje edhe pesë mjekë të tjerë të stafit, mes tyre edhe mjeku Julian Habibaj.

Ky i fundit ka mohuar të ketë pasur kontakt fizik me kryeinfermieren. Ai ka deklaruar se konflikti ka lindur për shkak të mosmarrëveshjes për futjen në sallë të operacionit të pacientes, e cila sipas tij ndodhej prej më shumë se 24 orësh në spital me membranat e plasura dhe me rrezik për shëndetin e saj dhe të foshnjës.

Sipas mjekut, pacientja kishte pasur dy lindje të mëparshme me operacion dhe gjendja e saj kërkonte ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur rrezikun e çarjes së mitrës dhe komplikacione të tjera.

Ai ka shtuar se ndërhyrja ishte miratuar edhe nga shefi i obstetrikës dhe nga anestezisti përgjegjës.

I pyetur nëse e kishte kundërshtuar kërkesën e kryeinfermierjes për plotësimin e dokumentacionit para operacionit, mjeku ka deklaruar se nuk e kishte kundërshtuar pasi, sipas tij, pjesa e dokumentacionit që i takonte ishte plotësuar.

“Unë nuk e kam shtyrë dhe as sulmuar këtë shtetase”, ka deklaruar mjeku në dëshminë e tij.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033