Dhjetëra motoristë të kompanisë “Wolt” dolën në protestë në Vlorë, duke kërkuar rritje page dhe përmirësim të kushteve të punës. Ata thonë se pagesa aktuale nuk përballon ritmin dhe vështirësitë e shpërndarjeve.
Në fokus është rritja e vlerës së pagesës për çdo kilometër të përshkuar, nga restoranti deri te adresa e klientit.
Një tjetër kërkesë lidhet me dorëzimet në katet e larta të pallateve. Sipas motoristëve, shpesh porositë kërkohet të çohen deri në katet më të sipërme dhe për këtë punë shtesë nuk ka pagesë të veçantë. Ata kërkojnë që për këto raste të parashikohet kompensim ekstra.
Po ashtu, motoristët kërkojnë që kur klienti zgjedh opsionin e dërgesës më të shpejtë, një pjesë e pagesës shtesë të shkojë edhe për korrierët.