“Askush nuk hyn si kalë Troje në BE”, Marta Kos: S’ka rrugë të shkurtra për demokracinë

Zgjerimi i Bashkimit Europian nuk do të ecë me shpejtësi pa u përmbushur kriteret e një demokracie të fortë. Mesazhi erdhi nga Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, nga Strasburgu, në të njëjtën ditë kur Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi me 82 vota kundër kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

“Asnjë kalë Troje. Vendet që do të na minonin nga brenda nuk mund të bëhen shtete anëtare. Duhet të sigurohemi plotësisht për këtë. Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të qëndrueshme, të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve. Natyrisht, nuk mund të ketë rrugë të shkurtra në reforma. Qytetarët tanë europianë e presin këtë nga ne, nga unë dhe nga ekipi im”, deklaroi Kos.

Pas votimit në Kuvend, reagoi edhe delegacioni i BE-së në Tiranë. Ai i kërkoi politikës shqiptare të mos pengojë punën e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit, duke e cilësuar këtë element thelbësor për procesin e integrimit.

Qëndrim të prerë mbajti edhe Ambasada e Gjermanisë. Sipas saj, ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit, përfshirë rastet e zyrtarëve të lartë, është kusht për përparimin në procesin e anëtarësimit.

“Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, thuhet në reagim.

Të njëjtin qëndrim shprehu edhe Ambasada e Holandës, që e konsideron luftën penale kundër korrupsionit hap vendimtar për integrimin.

“Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirat e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje të vazhdojë shpejt dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e këtij procesi”, theksoi ambasada.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe reagoi para nisjes së seancës për Ballukun, me një mesazh të drejtpërdrejtë: “Imuniteti parlamentar nuk mund të jetë pengesë për llogaridhënie para ligjit”.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033