Banorët e lagjeve periferike të fshatit Verbas, në bashkinë Patos, vijojnë të jetojnë çdo ditë mes rrezikut nga shtyllat e amortizuara të energjisë elektrike dhe zhgënjimit për ndërtimin e linjës së re të furnizimit. Sipas tyre, një vit më parë, gjatë fushatës elektorale të 11 majit 2025, u vendosën shtyllat për një linjë të re elektrike, por telat nuk u shtrinë kurrë. Premtimi që dukej se po merrte jetë u ndërpre sapo përfunduan zgjedhjet. Sot banorët furnizohen ende nga linja e vjetër me shtylla metalike të amortizuara dhe izolatorë të dëmtuar, që në ditët me shi kthehen në rrezik për jetën e tyre. Ata ankohen gjithashtu për tension të ulët që u dëmton pajisjet shtëpiake. Shtyllat e vendosura gjatë fushatës qëndrojnë ende si dëshmi e një investimi të papërfunduar. Banorët thonë se nuk kanë marrë asnjë shpjegim nga pushteti lokal apo nga OSHEE se kur do të përfundojë linja e re elektrike dhe kush mban përgjegjësi për situatën që rrezikon çdo ditë jetën e tyre. Edhe pse faturat e energjisë i paguajnë rregullisht, investimi i premtuar mbeti në mes dhe rreziku nga linja e vjetër vazhdon të jetë i pranishëm.
Shtyllat për vota, telat që mungojnë: Banorët e Verbasit jetojnë mes rrezikut nga linja e amortizuar e energjisë