Një përplasje mes fqinjësh në Sarandë ka përfunduar me ndërhyrjen e policisë dhe arrestimin e një 62-vjeçari. Ai dyshohet se ka hyrë i armatosur në banesën e fqinjëve dhe i ka kërcënuar me pistoletë.
Ngjarja u shënua në lagjen nr. 4, pasi një shtetase njoftoi se fqinji kishte hyrë në shtëpinë e saj me armë zjarri dhe kishte kanosur atë dhe familjarët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë shkuan menjëherë në vendngjarje për neutralizimin e autorit. Si rezultat i ndërhyrjes u arrestua shtetasi Sh. K., 62 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka nisur për shfrytëzimin e një pjese të përbashkët, konkretisht tarracës së pallatit ku banonin. Në këtë kuadër, ai dyshohet se ka kanosur fqinjët me armë zjarri, pistoletë me mulli.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.