738 kilogramë fileto dhe gjoks pule janë bllokuar në fabrikën e “KMY”-së në Tiranë. Sasia pritet të asgjësohet, pasi u konstatua se mbahej në kushte jashtë standardeve të sigurisë ushqimore.
Burime zyrtare pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit bëjnë me dije se mishi ishte nxjerrë për shkrirje, por gjatë kontrollit u gjet në tokë. Magazinimi kryhej pranë një ambienti me prezencë myku dhe ndryshku.
Sipas të njëjtave burime, është bllokuar sasia prej 738 kilogramësh dhe pritet të asgjësohet.
Inspektorët konstatuan se ambienti ku mbaheshin produktet në subjektin “KMY”, me aktivitet “Përpunim dhe tregtim mishi”, nuk plotësonte kushtet higjieno-sanitare. Për pasojë është bllokuar vetëm ambienti në fjalë, deri në plotësimin e kushteve. Ende nuk dihet nëse do të ketë masa të tjera ndëshkuese.
Kontrolle janë ushtruar edhe në një baxho për përpunimin e qumështit, ku janë bllokuar 328.7 kilogramë djathë dhie që mbahej në kushte jo higjienike.