Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka çuar në gjykim tre shtetas ukrainas të akuzuar për trafikim dhe shfrytëzim personash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, i zbuluar një vit më parë në Vlorë.
Sipas hetimeve, rrjeti funksiononte përmes rekrutimit të të rinjve me premtimin për punë zyre në Poloni. Pas intervistave dhe testit të poligrafit në Varshavë, ata dërgoheshin në Shqipëri, ku u merreshin pasaportat dhe detyroheshin të punonin nën presion dhe kërcënim.
Autoritetet zbuluan tre ambiente në Vlorë ku 24 shtetas të huaj qëndronin dhe operonin me pajisje kompjuterike, duke dërguar mesazhe dhe lidhje elektronike për rekrutimin e personave të tjerë, të cilët më pas përfshiheshin në veprimtari të paligjshme që lidhen me narkotikët në vende të Europës Lindore.
Tre të pandehurit – Nazar Khamuilo, Mark Petrenko dhe Karol Oskiera – akuzohen për trafikim të personave të rritur dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Për tre persona të tjerë, SPAK ka kërkuar pushimin e akuzës.
Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet ukrainase dhe Agjencinë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA).