Sektori i bujqësisë po përballet me rritje të ndjeshme të kostove të prodhimit, pas shtrenjtimit të plehrave kimike dhe inputeve të tjera bujqësore. Fermerët në Lushnjë shprehen se situata po rëndon drejtpërdrejt mbi sezonin e ri të mbjelljeve.
Brenda një periudhe të shkurtër, kostoja e bazës prodhuese është rritur me rreth 25 deri në 30 për qind, duke vënë në vështirësi planifikimin dhe përballimin e shpenzimeve nga ana e fermerëve.
Sipas vëzhgimeve në pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë, produktet më të përdorura, si DAP-i dhe Nitrati i Amonit, kanë pësuar rritjen më të theksuar të çmimeve. Në krahasim me një vit më parë, fermerët detyrohen të paguajnë ndjeshëm më shumë për të njëjtën sasi plehu kimik.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, shkaqet kryesore të këtij shtrenjtimi lidhen me pasojat e luftës dhe rritjen e çmimit të naftës. Ata paralajmërojnë se rritja e kostove në hallkën e parë të prodhimit do të reflektohet në mënyrë të pashmangshme në tregun e pakicës, duke sjellë shtrenjtim të produkteve bujqësore për konsumatorët.
Fermerët i kanë bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë për ndërhyrje urgjente, duke kërkuar rritje të skemave subvencionuese dhe forcim të kontrollit ndaj abuzimeve me çmimet në tregun e brendshëm.