Gazment Bardhi zbuloi për herë të parë se kërcënimet që SPAK referoi në mbledhjen me dyer të mbyllura ndaj të bashkëpandehurve dhe dëshmitarëve në procesin ndaj Ballukut janë bërë nga grupe kriminale në Fier. Ai tha se pozita ligjore e Ballukut është rënduar, pasi këto kërcënime janë bërë, sipas tij, një ditë pasi Ballukut iu caktua masa e parë e sigurisë.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nuk do të jetë në seancën plenare të 12 marsit, kur votohen dy raportet për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut, por do të jetë jashtë saj, në një protestë të thirrur nga opozita.
Dy ditë para seancës, Bardhi e quan raportin e PS mburojë politike të Ballukut, duke thënë se në 80 minuta fjalim kryeministri foli symbyllurazi, pa përmendur asnjë provë.
“Them me bindje: jo pasaportë europiane, por as pasaportë iraniane nuk marrim me këtë standard, ku hetimi nuk përcaktohet nga prokuroria, por nga gjykata supreme e mazhorancës qeverisëse.”
Bardhi tha se të fortët që SPAK thotë se kanë shantazhuar dëshmitarët në emër të Ballukut i përkasin grupeve kriminale të Fierit.
“Bëhet fjalë për grupe kriminale që veprojnë në qarkun e Fierit sipas përgjimeve të prokurorisë, aty ku Rama ka caktuar drejtuese politike Ballukun, e kanë bërë të mbrojnë paktin mafioz me pushtetin e Ballukut. Janë prova të dokumentuara se si grupet kriminale, të fortët e qarkut të Fierit, siç thotë transkripti i prokurorisë, kanë ushtruar presion ndaj dëshmitarëve dhe të pandehurve të tjerë për llogari të Ballukut”, tha Bardhi.
Ai kundërshtoi edhe pretendimin e socialistëve se pozita ligjore e Ballukut nuk është rënduar, duke theksuar se arresti me burg u kërkua pasi SPAK konfirmoi shantazhimin e dëshmitarëve, pas caktimit të masës së parë ndaj ish-numrit dy të qeverisë.
“Ky përgjim ishte në dispozicion të prokurorisë kur është kërkuar masa e parë e sigurimit. Masa është kërkuar më 14 nëntor, por gjykata e ka vendosur më 19 nëntor. Përgjimi është i datës 20 nëntor, një ditë pasi i është caktuar masa e sigurisë. Ora 12:23 ka nisur telefonata e përgjuar nga prokuroria. Prokurori këtë transkript e ka pasur në dorë në 3 dhjetor të vitit 2025. Ky kërcënim është bërë një ditë pas caktimit të masës. E kërcënuara nuk është bashkëpandehur. Prokurorët konfirmuan se nuk bëhet fjalë për një rast ku njëra ka status bashkëpandehur dhe tjetra është në listën e dëshmitarëve”, tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar demokrat theksoi se detyra e deputetëve nuk është të bëjnë rolin e drejtësisë, por të sigurohen që çështja nuk ka prapavijë politike, argument që sipas tij e mohon si mazhoranca ashtu edhe e pandehura Belinda Balluku.