Dënimi si i mitur e pengoi të bëhej prokuror, Strasburgu dënon Shqipërinë

Shiqiri Manjani ka fituar betejën ligjore në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila ka konstatuar shkelje të Nenit 8 të Konventës nga autoritetet shqiptare.

Manjani kishte fituar Shkollën e Magjistraturës, por nuk u lejua të niste studimet për shkak të një dënimi të marrë në vitin 2006, kur ishte 15 vjeç, për vjedhje në vlerën 1,000,400 lekë.

Edhe pse dënimi ishte shlyer dhe ai ishte rehabilituar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi se ai nuk përmbushte kriterin për të hyrë në sistemin e drejtësisë.

Vendimi u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila argumentoi se kandidatët për drejtësi duhet të jenë “të virtytshëm”.

Strasburgu, megjithatë, vlerësoi se refuzimi i pranimit në Shkollën e Magjistraturës për shkak të një dënimi të marrë si i mitur përbënte shkelje të të drejtave të tij.

Gjykata urdhëroi që shteti shqiptar t’i paguajë kërkuesit 4,500 euro brenda tre muajve nga momenti kur vendimi të bëhet i formës së prerë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033