Është ndarë nga jeta ish-basketbollisti i njohur i Skënderbeut dhe i ekipit kombëtar shqiptar, Ermand Temo, një nga emrat e spikatur të basketbollit korçar në vitet ’80.
Temo e nisi rrugëtimin e tij sportiv në klasat sportive të shkollës “Sotir Gurra”, nën drejtimin e mësuesit Anesti Cale. Talenti i tij u evidentua herët dhe në vitet 1979–1982 ai ishte pjesë e ekipit të të rinjve të Skënderbeut, me trajner Ferdinand Qirici.
Nga viti 1982 deri në 1992, Temo luajti me ekipin e parë të Skënderbeut nën drejtimin e trajnerit Dhimitër Kaçorri, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës korçare.
Performanca e tij e çoi edhe në ekipin kombëtar të basketbollit, ku ishte pjesë në vitet 1984–1986. Ai shquhej për lojën në pozicionin e qendrës, ku përballej me emra të njohur të kohës si Çaçi dhe Kalaja.
Prej më shumë se 33 vitesh jetonte në Selanik, ku ndërroi jetë në një spital të këtij qyteti.
Ndarja e tij nga jeta konsiderohet një humbje për sportin korçar dhe komunitetin e basketbollit shqiptar.