Një sulm i ri kibernetik ka goditur sot infrastrukturën teknologjike të Kuvendit të Shqipërisë, duke paralizuar punën e administratës dhe të ligjvënësve. Prej orëve të mëngjesit, deputetët dhe stafi mbështetës kanë humbur aksesin në kompjuterët e tyre dhe në llogaritë zyrtare të komunikimit.
Grupi i njohur si “Homeland Justice” ka marrë përgjegjësinë për sulmin, duke pretenduar se ka siguruar të gjithë korrespondencën elektronike të muajve të fundit. Sipas njoftimit të tyre në platformën Telegram, bisedat private dhe dokumentet zyrtare të “anëtarëve të korruptuar të Kuvendit” janë tashmë në duart e tyre.
“Ne jemi shumë më afër jush sesa mendoni”, thuhet në mesazhin kërcënues të hakerëve, i cili shoqërohet me akuza të forta për strehimin e personave me precedentë kriminalë.
Aktualisht, sistemi IT i Parlamentit mbetet jashtë funksionit, ndërsa po punohet për të vlerësuar shkallën e dëmit dhe për të rikthyer sigurinë në rrjet. Ky sulm pason një seri goditjesh kibernetike që kanë shënjestruar institucionet shqiptare gjatë vitit të fundit, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi nivelin e mbrojtjes së të dhënave shtetërore.