Shumica socialiste vendosi këtë të hënë të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres dhe aktualisht deputetes Belinda Balluku.
Qëndrimi u bë publik nga deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, gjatë prezantimit të raportit të Këshillit të Mandateve.
“Si anëtarë të mazhorancës në Këshillin e Mandateve arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit”, u shpreh Manja.
Sipas tij, edhe pse lufta kundër korrupsionit është një objektiv legjitim dhe i domosdoshëm në një shtet të së drejtës, ajo duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat ligjore.
“Ne i rekomandojmë seancës plenare të rrëzojë kërkesën e SPAK për autorizimin e heqjes së lirisë së Ballukut,” tha Manja, duke shtuar se nga shqyrtimi i materialeve shoqëruese “nuk rezulton domosdoshmëri për vendosjen e një mase të tillë”.
Ai theksoi gjithashtu se ky vendim nuk pengon vijimin e hetimeve nga SPAK.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u përpoq të relativizojë çështjen ndaj Ballukut, duke theksuar se ndaj saj nuk ka akuza për korrupsion, vjedhje apo vepra të rënda penale të kryera në flagrancë.
Sipas Ramës, hetimi lidhet vetëm me dyshimin për pabarazi në tendera publikë, të ndodhur disa vite më parë gjatë kohës kur Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës.
Ai theksoi se hetimi mbështetet në disa komunikime të gjetura në celularin e një ish-drejtori, të zbuluara vite më vonë.
Kryeministri kritikoi gjithashtu mënyrën se si është trajtuar çështja në debat publik, duke e cilësuar si një proces të politizuar dhe të mbingarkuar me akuza mediatike.
Në të njëjtën kohë, Rama vlerësoi rolin e Ballukut në realizimin e disa projekteve infrastrukturore, duke përmendur investime në rrugë, projekte hekurudhore dhe zhvillime në sektorin e transportit ajror.
Sipas tij, Balluku do të mbetet një figurë me peshë politike në Partinë Socialiste dhe do të drejtojë qarkun e Fierit në zgjedhjet e ardhshme vendore, megjithëse nuk do të mbajë më funksion ekzekutiv.
Çështja e imunitetit dhe raporti politik–drejtësi
Vendimi i shumicës socialiste për të refuzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut ka hapur debat për raportin mes pushtetit politik dhe institucioneve të drejtësisë.
SPAK e akuzon ish-zëvendëskryeministren për shkelje në procedurat e prokurimit publik, të lidhura me tenderët për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Jashtme të Tiranës, projekte me vlerë rreth 210 milionë euro.
Sipas prokurorëve, ndërhyrjet në procesin e tenderimit kanë krijuar avantazhe të padrejta për një konsorcium kompanish, akuza që Balluku i ka mohuar.
Përfaqësuesit e mazhorancës argumentuan se Balluku nuk ushtron më funksion ekzekutiv dhe për këtë arsye nuk ekziston rreziku i prishjes së provave apo ndikimit te dëshmitarët.
Megjithatë, vendimi ka edhe një dimension politik, pasi në një sistem ku parlamenti kontrollohet nga shumica qeverisëse, çdo vendim për imunitetin e një figure të lartë politike mund të perceptohet si mbrojtje politike dhe jo thjesht si vlerësim juridik.
Në të kaluarën, parlamenti ka mbajtur qëndrime të ndryshme në raste të ngjashme. Në vitin 2017 u refuzua kërkesa për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa më pas ai dha dorëheqje nga mandati dhe u përball me drejtësinë.
Ndërsa në vitin 2023, Kuvendi miratoi heqjen e imunitetit për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, pas kërkesës së SPAK.
Raste të tjera përfshijnë heqjen e imunitetit të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku në vitin 2015, si dhe dorëheqjen nga mandati të Alqi Bllakos në vitin 2022.
Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2023, parlamenti miratoi edhe heqjen e imunitetit për kreun e opozitës Sali Berisha.
Procesi ndaj Belinda Ballukut nisi në dhjetor të vitit 2025 dhe pas më shumë se dy muajsh diskutime, mazhoranca vendosi të rrëzojë kërkesën e SPAK.
Në sistemet demokratike, heqja e imunitetit parlamentar nuk konsiderohet dënim, por një procedurë që i hap rrugë drejtësisë të veprojë pa pengesa institucionale.
Refuzimi i këtij procesi shpesh krijon debat mbi balancën mes pushtetit politik dhe institucioneve të drejtësisë.