Rama: Balluku do të vijojë të drejtojë Fierin, nuk e shpall as hero as të pafajshme

Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste se Belinda Balluku do të vazhdojë të drejtojë qarkun e Fierit, pavarësisht çështjes penale ndaj saj dhe debatit për kërkesën e SPAK për autorizim arresti.

“Ka disa që mendojnë se fitoret shembullore të Belindës dhe skuadrave të udhëhequra prej saj në territor burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte. Kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet vendore në Fier, ku ajo do të vazhdojë të drejtojë qarkun dhe nuk do të jetë në asnjë pushtet ekzekutiv”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se Balluku, sipas tij, mban kontakte të vazhdueshme me territorin. “Ajo që di unë me siguri është se pak kush nga ne i mban si Belinda Balluku kontaktet me territorin, duke shkuar në zonat që mbulon si drejtuese politike.”

Rama shtoi se nuk ka ndërmend ta paraqesë atë as si viktimë, as si figurë heroike. “Nuk kam ndërmend ta shpall as hero dhe as viktimë Belindën sot”, tha ai, duke shtuar se pret që prokuroria të hetojë deri në fund çdo pistë që mund të çojë te korrupsioni.

“Në fund të ditës gjithkush pas të 18-ës varet vetëm nga këmbët e veta. Unë si kryeministër nuk e kam as të mundur, por nuk e kam as të lejuar, qoftë nga ligji e zakoni, që t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori”, deklaroi Rama.

Në një moment me tone më personale, ai shtoi: “Nuk kam ndërmend t’ju them që Belinda është një njeri që durohet lehtë në punë, pasi ca më shumë e ca më pak e dimë të gjithë sa e lehtë është të merresh me të, sidomos kur i thotë koka që ka të drejtë dhe do me çdo kusht që të dalë e vetja.”

Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu se nuk do të ndërhyjë në procesin e drejtësisë. “Nuk kam ndërmend ta shpall të pafajshme për çka akuzohet apo të shkel për të vijën e kuqe, që e kam vizatuar para deputetëve në këtë sallë të nesërmen e miratimit të reformës në drejtësi”, u shpreh ai.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033